Siguri Biometrike në Shërbimet Noteriale - 06 Qershor 2016

SAFRAN Aleat pati kënaqësinë të prezantonte më datë 6 qershor 2016 shërbimin më të ri me temë “Siguri Biometrike në Shërbimet Noteriale" në një ceremoni të zhvilluar në Ministrinë e Drejtësisë, si një bashkëpunim i rëndesishëm mes këtij institucioni, Dhomës Kombëtare të Noterisë dhe kompanisë Aleat.

Gjatë ceremonisë së prezantimit të shërbimit me letërnjoftimin biometrik, të pranishëm ishin Z. Ylli Manjani, Ministër i Drejtësisë, Z. Michael Granoff, Kryetar i Bordit Drejtues të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve (AAEF), Znj. Mimoza Sadushaj, Kryetare e Dhomës Kombëtare të Noterëve, si dhe Z. Jean-Alain Jouan, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i shoqërisë SAFRAN Aleat.

Regjistrit Noterial Shqiptar, që është një sistem i automatizuar i menaxhimit të akteve noteriale dhe proceseve të tyre, përmes këtij projekti të ri do t’i mundësohet integrimi me platformën e-ALEAT.

Qëllimi i këtij bashkëpunimi me Platformën e-ALEAT është përmirësimi i Regjistrit Noterial Shqiptar në drejtim të aksesit të një informacioni sa më të sigurt të të dhënave të qytetarëve duke sjellë transparencë në veprimet noteriale.

Regjistrimi i palëve të një akti noterial do të bëhet nëpërmjet shërbimit të letërnjoftimit biometrik. Ky sistem garanton noterin për identitetin e palës nëpërmjet verifikimit të të dhënave të veta biometrike. 

Falë platformës e-ALEAT proçesi i identifikimit të palëve nga noteri bëhet në kohë fare të shkurtër dhe në mënyre 100 % të sigurt nëpermjet shenjave të gishtërinjve që janë unike tek çdo individ.

Përgjatë vitit 2016 do të përfundojë procesi i pajisjes me lexues biometrik dhe përdorimit të shërbimit të identifikimit me letërnjoftim biometrik. Në një fazë të limituar me 20 zyra noteriale nisi në datën 06 qershor 2016 shërbimi noterial me verifikim biometrik. Më tej do të pasojnë 120 zyra të tjera, vazhduar nga 100 përgjatë muajit Tetor, dhe të përfundojë në të gjitha 460 zyrat në Dhjetor 2016.