Politika e privatësisë së rekrutimit

Të dhënat tuaja personale që do të jepen gjatë procesit të rekrutimit me mjete elektronike dhe/ose me paraqitjen e dokumentacionit përkatës (në rastet kur është e zbatueshme) do të përpunohen në përputhje me ligjin nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar, dhe aktet nënligjore në fuqi.

Kandidatët që marrin pjesë në procesin e rekrutimit informohen se:

1. Dhënia e informacionit tuaj personal në lidhje me rekrutimin është në baza vullnetare dhe ju përcaktoni informacionin që i jepni ALEAT; ju lutemi vini re se në rast se vendosni të mos jepni informacion, kjo mund të ndikojë në aftësinë tonë për të konsideruar rekrutimin tuaj. 

2. Të dhënat tuaja personale mblidhen dhe përpunohen nga shoqëria ALEAT Shpk (“ALEAT”), me NUIS K82018015V, me seli në adresën Rr. “Xhanfize Keko”, Tiranë, Shqipëri. Nëse keni pyetje në lidhje me përpunimin e të dhënave tuaja personale ose kërkesa për aksesin, korrigjimin apo fshirjen e të dhënave tuaja personale, ju lutem kontaktoni Personin e Kontaktit për Mbrojtjen e të Dhënave të ALEAT në adresën e postës elektronike contact@aleat.com.

3. Qëllimi i mbledhjes dhe i përpunimit së të dhënave tuaja personale është vlerësimi, përzgjedhja dhe rekrutimi i kandidatëve të përshtatshëm për punësimin tek ALEAT. Informacioni mund të përdoret për të komunikuar me ju, për të administruar proceset e rekrutimit dhe punësimit, si edhe për përmbushjen e kërkesave ligjore, rregullatorë dhe të aktivitetit të shoqërisë. Nëse do të punësoheni, informacioni mund të përdoret në lidhje me punësimin dhe aktivitetin e shoqërisë.

4. Kategoritë e të dhënave personale që mblidhen dhe përdoren për procesin e rekrutimit janë:

  • Të dhënat personale që mundësojnë identifikimin e kandidatit: titulli, emri, mbiemri, datëlindja dhe vendlindja. 
  • Informacioni i dhënë nga kandidati për ta kontaktuar dhe mundësuar organizimin e intervistës: adresa, numri i telefonit, posta elektronike.
  • Informacioni i dhënë nga kandidati për të mundësuar verifikimin e përmbushjes së kritereve përzgjedhëse të punësimit, sipas njoftimit të punësimit: kombësia, shkollimi dhe trajnimi (diplomat e dhëna, certifikatat dhe trajnimet), eksperienca profesionale (pozicioni, kohëzgjatja e punësimit, emri i shoqërisë, lloji i shoqërisë dhe faqja e internetit e shoqërisë (kur kërkohet), detyrat dhe përgjegjësitë kryesore), aftësitë dhe njohuritë gjuhësore dhe të punësimit.
  • Vërtetime nga punësime të mëparshme dhe referenca (kur kërkohen).
  • Raport mjekësor për aftësinë në punë (kur kërkohet).
  • Dëshmi penaliteti (kur kërkohet).
  • Letër motivimi e kandidatit (kur kërkohet).

5. Marrësi i të dhënave tuaja do të jetë sektori i burimeve njerëzore të ALEAT. Të dhënat tuaja personale do të jenë konfidenciale dhe nuk do t’u përhapen palëve të treta, përveç kur parashikohet ndryshe nga ligji apo aktet nënligjore.

6. Kohëzgjatja maksimale e ruajtjes së të dhënave tuaja personale do të jetë si më poshtë: 

  • Në rast se do të punësoheni, të dhënat tuaja personale do të ruhen në përputhje me politikat e privatësisë së ALEAT për punëmarrësit.
  • Në rast se nuk do të punësoheni, të dhënat tuaja do të ruhen për një periudhë maksimale prej 2 vjetësh nga data kur këto të dhëna janë marrë nga ALEAT. Qëllimi i ruajtjes së të dhënave tuaja personale është për të vlerësuar mundësinë tuaj të punësimit në pozicione të tjera pune në ALEAT. Në fund të kësaj periudhe, të dhënat personale të kandidatit do të fshihen dhe do të shkatërrohen. Megjithatë, ju mund të kërkoni në çdo kohë fshirjen e të dhënave tuaja personale përpara mbarimit të periudhës së lartpërmendur.

7. Ju keni të drejtë të aksesoni të dhënat tuaja personale në çdo kohë dhe të korrigjoni çdo pasaktësi apo mangësi në të dhënat personale. 

8. Ju keni të drejtë t’i drejtoheni në çdo kohë Personit të Kontaktit për të Mbrojtjen e Dhënave të ALEAT (contact@aleat.com) ose në rast mosmarrëveshjeje në lidhje me përpunimin e të dhënave tuaja personale, keni të drejtë të ankoheni drejtpërdrejt në çdo kohë tek Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

9. Kandidatët janë përgjegjës për informacionin që japin apo mundësojnë për ALEAT dhe duhet të sigurojnë në çdo rast që ky informacion është i drejtë, i vërtetë, i saktë dhe jo çorientues. Kandidatët duhet të sigurojnë që informacioni që jepet nuk përmban material që është i pahijshëm, denigrues apo që shkel të drejta të palëve të treta; nuk përmban kod dëmtues ose të ekzekutueshëm dhe që në asnjë rast nuk bie ndesh me ligjin. Gjithashtu, nëse kandidati jep informacion në lidhje me persona të tjerë, si individë referues, ju jeni përgjegjës për dhënien e çdo njoftimi dhe marrjen e çdo pëlqimi të nevojshëm për ALEAT për mbledhjen dhe përdorimin e informacionit të përshkruar në këtë politikë.

ALEAT rezervon të drejtën për ndryshuar dhe përditësuar herë pas here këtë politikë.